Pas 15 vjetësh, sot Komisioni Evropian zbuloi një strategji të re për “Një perspektivë të besueshme të zgjerimit dhe rritje të angazhimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor”, duke konfirmuar të ardhmen evropiane të rajonit si një investim gjeostrategjik në një Evropë të qëndrueshme, të fortë dhe të bashkuar, bazuar në vlera të përbashkëta.
Si pjesë të strategjisë, KE njoftoi gjashtë nisma të reja kryesore për të mbështetur transformimin e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë: (1) nisma për forcimin e shtetit ligjor; (2) nisma për përforcimin e angazhimit për sigurinë dhe migracionin; (3) nisma për rritjen e mbështetjes për zhvillimin socio-ekonomik; (4) nisma për rritjen e lidhjes së transportit dhe energjisë; (5) nisma për një agjendë digjitale për Ballkanin Perëndimor; dhe (6) nisma për mbështetjen e pajtimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Në mjediset e Qendrës së Informimit të BE-së në Shqipëri u shfaq një transmetim i drejtpërdrejtë i miratimit të strategjisë së Ballkanit Perëndimor nga Kolegji në Strasburg, me Përfaqësuesen e Lartë / Zëvendëspresidenten Mogherini dhe Komisionerin Hahn. Kjo u pasua me një konferencë për shtyp, të mbajtur nga Shefja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Ambasadorja Romana Vlahutin, e cili në mënyrë specifike iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve shqiptarë lidhur me kuptimin dhe rëndësinë e kësaj strategjie të re për Shqipërinë.
Ambasadorja deklaroi se “Shqipëria tashmë ka bërë shumë punë dhe siç u publikua edhe në njoftimin për shtyp të KE-së, ajo ka një perspektivë reale dhe të menjëhershme për të ecur përpara drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit. Nëse të gjithë i kthehemi një pune edhe më të madhe, së bashku, për ta bërë jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë më të sigurt, më të mirë dhe më të begatë, sa më shumë reforma të zbatoni, aq më shpejt do ta arrini qëllimin”.