Dikur pasuri e krimit të organizuar në Sarandë, sot falë përkrahjes së BE-së, hapi dyert Social Crafting Garage Saranda. Kjo ndërmarrje sociale do të punësojë tetë gra dhe vajza të cilat kanë qenë viktima të krimit të organizuar dhe dhunës në familje. Ato janë duke u përgatitur të punojnë në përpunimin e gurit përmes trajnimeve profesionale. Për më tepër, Social Crafting Garage Saranda do të shërbejë si një hapësirë që organizon aktivitete sociale dhe do të shndërrohet në një qendër sociale që mbështet viktimat e trafikimit, në mënyrë që ato të mund të integrohen në jetën e tyre të përditshme dhe të vazhdojnë punën e tyre pa probleme.
“Ne inkurajojmë qeverinë shqiptare të lehtësojë përdorimin social të pasurive të konfiskuara dhe ta bëjë procesin më efikas. Ne kemi nevojë për shumë projekte të tjera si projektet e financuara nga Bashkimi Evropian në Fier, Durrës dhe Sarandë. T’i kthejmë shoqërisë atë që ishte vjedhur nga krimi i organizuar,” tha Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
Pas pastiçerisë KeBuono Pastiçeri Sociale në Fier dhe librarisë KinFolk Coffee Library në Durrës, ky është projekti i tretë që BE po financon, së bashku me Partners Albania for Change and Development, në ambientet e konfiskuara nga krimi i organizuar.