Festivali i luleve në Shkodër
I organizuar nga Bashkia e Shkodrës, kjo veprimtari iu dedikua artistëve të rinj të qytetit dhe u ndoq nga Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe nga ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së nga Kroacia, Italia, Rumania, Sllovenia dhe Spanja.
Shëtitje me biçikletë rreth Liqenit të Shkodrës
Rreth 300 pjesëmarrës iu bashkuan shëtitjes me biçikleta nga ura e vjetër e Bunës, duke shëtitur rreth Liqenit të Shkodrës deri në qytetin e Shirokës dhe në kthim. Pjesëmarrësit përfshinin të rinj nga Shkodra, entuziastë të çiklizmit nga shoqata të ndryshme, profesionistë të federatës së çiklizmit, anëtarë të tjerë të bashkësisë lokale, ambasadorë të shteteve anëtare të BE-së dhe anëtarë të stafit të tyre, anëtarëve të stafit të Delegacionit të BE-së dhe anëtarë të ekipit të Shtëpisë së Evropës.
Pasi mbërritën në vijën e finishit, pjesëmarrësit u përshëndetën nga aktorja e famshme Zyliha Miloti, Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi. Festimet vazhduan me muzikë, argëtim, valle tradicionale dhe ushqime e pije të shumta.
“Nuk ka vend më të mirë se Shkodra për të filluar Javën e Evropës, një kremtim i Evropës, si një nga qytetet më të vjetra evropiane në këtë pjesë të kontinentit”, tha Ambasadorja Vlahutin ndërsa iu drejtua çiklistëve në vijën e finishit.
Diskutim me studentët e Universitetit të Shkodrës
250 studentë nga Universiteti i Shkodrës dhe rektori Adem Bekteshi pritën Ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin dhe ambasadorët e shteteve Anëtare të BE-së nga Kroacia, Franca, Greqia, Italia, Rumania, Spanja dhe Suedia. Diskutimet ishin të gjalla dhe mbuluan tema të ndryshme, përfshirë reformat e integrimit të BE-së, arsimin, reformën e drejtësisë, si dhe rolin e të rinjve në procesin e integrimit evropian për të sjellë standardet e BE-së në Shqipëri.
“Ky proces nuk mund të ndodhë pa përfshirjen tuaj. Ju nuk duhet të lodheni kurrë së kërkuari që standardet e BE-së të sillen dhe të zbatohen në Shqipëri. Kërkoni, pyesni, nxisni dhe mos u dorëzoni”, tha Ambasadorja Vlahutin.