Java e Evropës në Korçë

Java e Evropës në Korçë

Të shtunën, në Korçë, Delegacioni i BE-së përfundoi Javën e tij të Evropës “Udhëtim përmes mrekullive kulturore dhe natyrore të Shqipërisë”. Gjatë shtatë ditëve dhe përmes më shumë se 25 evenimenteve ne eksploruam se si Shqipëria është një pjesë thelbësore e kulturës dhe historisë së pasur të Evropës.

Trashëgimia kulturore: një shans për Shqipërinë

Konferenca e hapur iu dedikua trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë dhe potencialit të saj si një nxitëse për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës. Veprimtaria përfshiu fjalën e hapjes nga Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, pasuar me prezantime dhe diskutime me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, bashkisë dhe organizatave ndërkombëtare. Në fund, ceremonia përfundoi me ndarjen e çmimeve për fituesit e konkursit arkitektonik “Bed and Breakfast”, organizuar nga Delegacioni i BE-së.

Promovimi i trashëgimisë kulturore është një shans i madh për komunitetet vendore. Në pazarin e Korçës, ekspertët diskutuan për këto mundësi dhe moderatorja Lejla Hadzic nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufi” theksoi se për çdo 800.000 Euro të investuara në rehabilitimin e ndërtesave krijohen 31.3 vende pune, ndërsa e njëjta shumë e investuar në industrinë përpunuese krijon vetëm 21.3 vende pune. Në këtë kontekst, Ambasadorja e BE-së Vlahutin dhe Ministrja Kumbaro ndanë çmimet e një konkursi të Delegacionit të BE-së për arkitektët e rinj që punojnë në objekte turistike që respektojnë arkitekturën tradicionale.

Ambasadorja Vlahutin deklaroi: “Kjo është një finale e madhe për Javën e Evropës në një Vit Evropian të Trashëgimisë Kulturore. Ruajtja e trashëgimisë sonë ka të bëjë me ekonominë, ka të bëjë me përgjegjësinë e përbashkët, por mbi të gjitha, me detyrën tonë morale dhe historike ndaj brezave të mëparshëm dhe të ardhshëm”.

Pas përfundimit të veprimtarisë, festimet vazhduan me një koncert live me muzikë tradicionale nga rajoni i Korçës.